Genar Topalli i përgjigjet Eva Muratit: “Dasma u financua nga unë, Cindy dhe familja e saj!”

Dy ditë pas komentit viral të Eva Muratit e cila akuzonte tërthorazi ish të dashurin e saj Genar Topallin se kishte bërë dasmën me paratë e vjedhura nga fondet publike (lexo këtu), ky i fundit ka reaguar.

Në një postim në Facebook, djali i deputettes së PD Jozefina Topalli, ka dhënë shpjegime mbi kostot e dasmës në Romë, ku u kurorëzua me moderatoren dhe modelen Cindy Marina.

Në një postim të gjatë, ai rrëfen se dasma është financuar nga ai, partnerja e tij dhe familja e saj, që ka ndërtuar biznese të suksesshme në Amerikë.

“Edhe pse nuk kemi asnjë detyrim të japim shpjegime për jetën private, dua ta bëj këtë reagim për transparencë. Ceremonia u zhvillua në Bazilikën e Shën Marisë, te Altari i Qiejve – një bekim i madh shpirtëror, për të cilin, siç dihet, nuk ka pagesë, por vetëm një donacion simbolik.
Më pas, darka u mbajt në një ambient në Romë, me kosto që nuk kalon shpenzimet e zakonshme të një dasme në Shqipëri (çdokush mund ta verifikojë lehtësisht me një kërkim të thjeshtë në Google). Gjithçka është menduar, organizuar dhe financuar prej meje dhe Cindy-t, me mbështetjen e prindërve të saj.”-shkruan Topalli.
“Ne jetojmë e punojmë në SHBA, ku drejtojmë së bashku biznesin tonë në fushën e transportit, ndërsa Cindy, përveç angazhimeve të tjera, menaxhon një nga klubet më të mëdha të volejbollit në Kaliforninë Jugore, në pronësi të familjes së saj.
Prindërit e Cindy-t jetojnë në SHBA prej afro 30 vitesh dhe sot kanë ndërtuar biznese të suksesshme në fushën e transportit dhe të sportit, me mbi 150 të punësuar.
Ky sqarim bëhet vetëm për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të hedhur poshtë komentet me shifra krejtësisht të pavërteta e spekulative.”-ka sqaruar më tej djali i deputetes.