Babai i të zhdukurit Ervis Martinaj, i njohur si “Mbreti i lojërave të fatit”, ka bërë deklarata të forta për mediat, duke pretenduar se djali i tij është ekzekutuar në Durrës dhe se autoritetet nuk po ndjekin hetimin me seriozitet.
Mustafa Martinaj ishte i pranishëm sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku u mor në pyetje lidhur me sekuestrimin e 34 pasurive të djalit dhe familjarëve të tij. Ai deklaroi se kishte besuar Prokurorisë së Lezhës për hetimin e zhdukjes së Ervis Martinajt, kallëzuar në gusht të vitit 2022.
“Fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë. Djali im është ekzekutuar në Durrës, si e di? Jam babai pra! Kam dhënë shpjegime edhe para Byrosë Kombëtare të Hetimit, por ata nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit. Nuk kam fuqi as për hakmarrje. Këta merren me vogëlsira dhe nuk merren me gjëra madhore”, u shpreh Mustafa Martinaj.
Seanca e radhës gjyqësore u shty për dy javë, ndërsa SPAK po vijon procesin për konfiskimin e disa pasurive të Martinajt. Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që nga 8 gushti 2022, dhe ende nuk ka informacione të qarta mbi fatin e tij.
Deklaratat e babait të tij shtojnë tensionin mbi këtë çështje, duke vënë në dyshim angazhimin e institucioneve në zbardhjen e misterit të zhdukjes së një prej figurave më të njohura të lojërave të fatit në vend.