Kuvendi me 140 deputetët e dalë nga zgjidhjet parlamentare të 25 prillit, mbajti sot seancën e parë.
Seancën e drejtoi Luljeta Bozo, deputetja më e vjetër në moshë, e cila bëri thirrje për bashkëpunim mes partive në vend.
“Pas një karriere të gjatë profesionale kam nderin të hap legjislaturën e 10 parlamentare. Ndihem e emocionuar pasi kurrë më parë kjo sallë e nderuar s’ka pasur kaq shumë vajza e gra në radhët e saj. Jam jo vetëm krenare për këto arritje, por kam bindjen e thellë se kjo legjislaturë do të mbahet mend gjatë për thyerjen e barrierave e stereotipive gjinore, forcimin e rolit të gruas. Kemi marrë përgjegjësi të madhe, për misionin historik, për ta çuar Shqipërinë drejt Evropës. Për të krijuar një Shqipëri që brezat që vijnë ta adhurojnë.
Mbështetës potenciale në këto reforma mbeten SHBA, aleati ynë më i fuqishëm, BE e të tjerë. Na besuan për të çuar drejtësinë përpara, administratën, për aq sa mundemi çështjen e pronave, arsimin, shëndetësinë, ekonominë në të gjitha degët e saj, bujqësinë, energjetike, arti dhe kultura, pa hequr vëmendjen.
Ne vijojmë të ndodhemi para dy sfidave që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen, tërmetin e pandeminë. Paçim punë të mbarë të gjithë, të majtë e të djathtë. Ne punojmë për të mirën e vendin tonë. Në këtë proces do të kemi mbështetjen e shqiptarëve”, tha Bozo.
140 ligjvënësit e rinj pritet të betohen në orën 17:00 gjatë pjesës së dytë të seancës së sotme.
Komisioni i përkohshëm prej 9 anëtarësh për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit do shqyrtojë dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit.