Protesta të dhunshme kundër shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse në Mal të Zi

Dhjetëra persona janë plagosur në protestat që u mbajtën në Mali të Zi sot kundër ceremonisë së shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse në Mal të Zi, Joanikije në qytetin e Cetinjes.

Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë qindra protestues, disa prej të cilëve hodhën gurë, shishe dhe fishekzjarre në drejtim të policisë. Disa njerëz dogjën goma dhe u ulën në rrugë.

Zëvendësdrejtori i policisë në Mal të Zi, Dragan Goroviç, tha për televizionin shtetëror se 20 pjesëtarë të policisë janë plagosur, ndërsa një klinikë shtetërore në Cetinje tha se rreth 30 civilë kërkuan ndihmë mjekësore.

Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq i cilësoi sulmet ndaj policisë si terrorizëm. Ai fajësoi Partinë Demokratike të Socialistëve të presidentit Millo Gjukanoviq për organizimin e protestave.

Krivokapiq vjen nga Fronti Demokratik pro-serb, parti kjo që udhëheq me qeverinë malazeze, pasi vitin e kaluar rrëzoi Partinë Demokratike të Socialistëve, pas 30 vjetësh në pushtet.

Gjukanoviq, i cili kundërshtoi ceremoninë, akuzoi policinë për forcë të tepruar.

Sipas tij, në Cetinje u dëshmua “turpi i madh i Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe Qeverisë së Malit të Zi”.

Ambasadat e Gjermanisë, Italisë, Francës, Britanisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dënuan dhunën.