E rëndë në Korçë: 14-vjeçarja tenton sërish të hidhet nga pallati, shpëtohet në momentin e fundit

Një ngjarje shqetësuese është regjistruar sërish në lagjen nr. 14 të Korçës, ku një 14-vjeçare ka tentuar të hidhet nga kati i tretë i pallatit ku jeton me familjen.

Sipas informacioneve, e mitura është shpëtuar në momentin e fundit nga një banor i zonës, i cili ka ndërhyrë menjëherë sapo ka kuptuar situatën.

Ky nuk është rasti i parë. Ngjarje të ngjashme janë raportuar gjatë muajve të fundit: në tetor 2025 ajo ka rënë nga lartësia, por pa pasoja të rënda, ndërsa edhe pak ditë më parë kishte tentuar sërish, duke u ndaluar nga policia.

Rasti ka ngritur shqetësime serioze, pasi sipas burimeve, e mitura dhe motrat e saj kanë shfaqur sjellje të forta agresive dhe kanë refuzuar ndihmën mjekësore dhe trajtimet e rekomanduara, pavarësisht se janë dërguar disa herë për trajtim të specializuar.

Po ashtu, bëhet e ditur se ajo kundërshton qëndrimin në banesë dhe ka pasur përplasje me familjarët, policinë dhe stafin mjekësor.

Ngjarjet e përsëritura kanë vënë në pikëpyetje reagimin e institucioneve përgjegjëse, përfshirë shërbimet sociale dhe autoritetet vendore, lidhur me menaxhimin dhe mbështetjen e kësaj familjeje në një situatë kaq delikate.