Ndahet nga jeta në moshën 43-vjeçare pronari i OnlyFans, Leonid Radvinsky

OnlyFans ka njoftuar ndarjen nga jeta të pronarit të saj, Leonid Radvinsky, i cili ka ndërruar jetë në moshën 43-vjeçare pas një beteje të gjatë me kancerin.

“Në jemi thellësisht të trishtuar të njoftojmë ndarjen nga jeta të Leo Radvinsky. Ai u nda nga jeta në paqe pas një beteje të gjatë me kancerin,” thuhet në deklaratën zyrtare të kompanisë, teksa familja e tij ka kërkuar privatësi në këtë periudhë të vështirë.

Sipërmarrësi ukrainas-amerikan bleu në vitin 2018 Fenix International, kompaninë që zotëron dhe operon OnlyFans, duke mbetur më pas aksioneri kryesor dhe drejtori i saj.

Beteja e tij me sëmundjen ishte mbajtur larg vëmendjes publike, ndërsa Radvinsky njihej për profilin e tij të ulët, pavarësisht statusit si miliarder.

Ai ishte gjithashtu një donator i rëndësishëm për kauza mjekësore. Në vitin 2024, së bashku me bashkëshorten, mbështeti një program prej 23 milionë dollarësh për kërkime mbi kancerin përmes një fondacioni për kërkimet gastrointestinale.

I lindur në Odesa dhe i rritur në Chicago, Radvinsky u diplomua në ekonomi në Northwestern University, përpara se të themelonte një fond investimesh në teknologji.

Sipas Forbes, pasuria e tij neto vlerësohej rreth 4.7 miliardë dollarë, duke e renditur ndër njerëzit më të pasur në botë. Gjatë viteve të fundit, ai përfitoi rreth 1.3 miliardë dollarë në dividentë nga OnlyFans, një platformë që ka transformuar industrinë e përmbajtjes për të rritur.