Besart Kelmendi, i njohur për publikun me emrin artistik Gjesti, do të qëndrojë në paraburgim për një muaj. Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë pas shqyrtimit të kërkesës së Prokuroria e Prishtinës.
Sipas njoftimit zyrtar, ndaj artistit ekzistojnë dyshime të bazuara për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë kanosje, dëmtim të pasurisë dhe mbajtje të paautorizuar të armëve. Gjykata vlerësoi se masa e paraburgimit është aktualisht më e përshtatshmja për të garantuar zhvillimin normal të procedurës penale.
Në arsyetimin e vendimit theksohet se ekziston rreziku i mundshëm i arratisjes, mundësia e ndikimit mbi dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale. Për këto arsye, gjykata vendosi që paraburgimi të jetë masa më e nevojshme në këtë fazë të hetimit.
Megjithatë, mbrojtja e artistit ka ende të drejtën të përdorë mjetet ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim.
Gjesti u arrestua më 11 mars 2026 në Prishtinë nën dyshimin për armëmbajtje pa leje. Sipas policisë, arrestimi ndodhi rreth orës 15:00 në rrugën “Mehmet Isahi”, ku artisti u ndalua dhe më pas u shoqërua në komisariat për t’u marrë në pyetje. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit ai u dërgua në ndalim policor për 48 orë.
Një ditë më vonë, mediat raportuan se arrestimi lidhej edhe me një incident në zyrat e kompanisë muzikore Onima, ku këngëtari kishte shkuar dhe kishte pasur një përplasje verbale me drejtuesin e saj, Erkand Shabani. Gjatë debatit, situata dyshohet se u tensionua dhe raportohet se u dëmtua një kompjuter në ambientet e kompanisë, çka bëri që drejtuesit të njoftonin policinë për kanosje dhe dëmtim prone.
Pas ndërhyrjes së policisë, ndaj artistit u ngritën dyshime për tri vepra penale: armëmbajtje pa leje, kanosje dhe dëmtim të pasurisë.
Konflikti mes Gjestit dhe kompanisë Onima nuk është i ri. Tensionet mes palëve u bënë publike që në verën e vitit 2025, kur artisti deklaroi se kishte ndaluar publikimin e projekteve muzikore për shkak të mosmarrëveshjeve me distributorin e tij lidhur me të drejtat dhe shpërndarjen e muzikës. Nga ana tjetër, kompania i mohoi akuzat, duke theksuar se çështja lidhej me përpjekjen e artistit për t’u shkëputur nga kontrata ekzistuese.