Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar Byronë Kombëtare të Hetimit që t’i vërë në dispozicion kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të gjitha aktet hetimore të dosjes ndaj tij.
Sipas burimeve për mediat, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasditen e së martës SPAK ka kërkuar që materialet hetimore t’i dërgohen Veliajt në qelinë e paraburgimit në Durrës.
Bëhet fjalë për rreth 72 fashikuj me afro 28 mijë faqe dokumente, të cilat do të vendosen në dispozicion të kryebashkiakut. Kjo është një kërkesë që Veliaj kishte bërë vazhdimisht gjatë seancave paraprake, por që deri më tani nuk ishte pranuar.
Kujtojmë se Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej datës 10 shkurt 2025. Pavarësisht kësaj, ai vijon të mbajë detyrën e kryebashkiakut të Tiranës, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi të anulonte dekretin e Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në kryeqytet.
Ndërkohë, SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen ndaj tij më 10 shtator, duke e akuzuar për nëntë raste korrupsioni, si dhe për vepra të tjera penale, përfshirë pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Në këtë çështje është e akuzuar edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila përballet gjithashtu me akuza për korrupsion pasiv në nëntë raste. Sipas hetimeve, këto raste lidhen me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, pas të cilave dyshohet se qëndronte vetë.