Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) ka bërë me dije se, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, ka ndaluar një eksport të paligjshëm prej 2800 tonësh mbetje industriale nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, duke theksuar se trafikimi i mbetjeve përbën një kërcënim në rritje në nivel global.
Sipas OLAF, hetimi nisi në vitin 2024, pasi autoritetet doganore shqiptare u njoftuan për një dërgesë të dyshuar, e cila në dokumentacion paraqitej si “oksid hekuri”. Analizat laboratorike zbuluan më pas se ngarkesa përmbante një nënprodukt toksik të prodhimit të çelikut, i klasifikuar si material i rrezikshëm për shkak të përqendrimeve të larta të metaleve të rënda.
Ekspertët paralajmërojnë se, nëse këto mbetje menaxhohen ose asgjësohen në mënyrë të papërshtatshme, ato mund të shkaktojnë ndotje të tokës dhe ujërave nëntokësore, si dhe ekspozim afatgjatë ndaj toksinave për komunitetet përreth, duke paraqitur rrezik serioz për shëndetin publik dhe mjedisin.
Në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor dhe Prokuroria e Durrësit, OLAF ndihmoi në koordinimin e veprimeve operative që çuan në kapjen e ngarkesës dhe kthimin e saj në vendin e origjinës. Hetimet mbështetën gjithashtu procedurat kombëtare, nga të cilat rezultoi lëshimi i 33 urdhër-arresteve, përfshirë agjentë doganorë dhe punonjës të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Drejtori i Përgjithshëm i OLAF-it, Petr Klement, deklaroi: “Ky rast tregon se si bashkëpunimi i ngushtë midis OLAF-it dhe autoriteteve partnere në BE dhe më gjerë ndihmon në mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e shëndetit publik dhe siguron që qytetarët të mbrohen më mirë nga rreziqet serioze që paraqet trafiku i paligjshëm i mbetjeve. Urime të sinqerta autoriteteve shqiptare për kryerjen dhe përfundimin e një hetimi kaq kompleks.”
Sipas OLAF, deklarimi i gabuar i mbetjeve të rrezikshme si substanca jo të rrezikshme mbetet një nga metodat më të zakonshme të përdorura për të anashkaluar kontrollet dhe rregulloret mjedisore, duke zhvendosur rreziqet shëndetësore dhe mjedisore në vendet e destinacionit.