Plane për Vitin e Ri? Sinoptikani: “Moti do të jetë i acartë”

Sinoptikani Elvi Jahaj ka paralajmëruar se ndërrimi i viteve do të shoqërohet me mot të acartë, duke theksuar se vendi pritet të përfshihet nga temperatura shumë të ulëta.

Për fundjavën e fundit të vitit, Jahaj ka bërë të ditur se moti do të jetë i kthjellët, por temperaturat do të jenë të ulëta, duke zbritur deri në -3 dhe -4 gradë Celsius në zonat malore, ndërsa në ultësirën perëndimore do të luhaten nga -1 deri në 0 gradë Celsius.

“Moti në fundjavën e fundit të vitit do të jetë i ftohtë. Në Korçë reshjet e dëborës do të ndërpriten me kalimin e orëve, ndërsa vendi ynë në përgjithësi do të ndikohet nga kushte ajrore të ftohta dhe të acarta. Moti do të jetë i kthjellët, por i ftohtë në të gjithë territorin, me vranësira të pakta në relievet malore. Temperaturat minimale do të arrijnë -3 deri në -4 gradë Celsius në zonat malore dhe -1 deri në 0 gradë Celsius në ultësirën perëndimore”, ka deklaruar sinoptikani.

Sa i përket natës së ndërrimit të viteve, Jahaj ka theksuar se Shqipëria do të pushtohet nga moti i acartë, me temperatura ekstreme sidomos në zonat malore.

“Duke filluar nga dita e hënë dhe e martë, deri në ditët e ndërrimit të viteve, kryesisht më 31 dhjetor dhe 1 janar, temperaturat do të jenë shumë të ulëta. Në relievet malore do të zbresin në -8 dhe -9 gradë, në zonat e ulëta do të jenë -4 dhe -5 gradë, ndërsa në bregdet do të luhaten nga 0 deri në -1 gradë Celsius. Temperaturat e mesditës gjatë fundjavës do të shkojnë në 13–14 gradë, ndërsa gjatë ndërrimit të viteve nuk do të kalojnë 7–8 gradë në ultësirën perëndimore. Era do të fryjë nga kuadrati i veriut”, është shprehur Jahaj për Top Channel.