SPAK mbyll hetimet për Benet Becin/ Ja për çfarë akuzohet kryebashkiaku i Shkodrës

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet ndaj kryebashkiakut socialist të Shkodrës, Benet Beci, i cili u paraqit pasditen e kësaj të premteje në ambientet e SPAK. Burime bëjnë me dije se hetimi ka arritur në fazën përfundimtare dhe pritet që Becit t’i komunikohet zyrtarisht marrja si i pandehur.

Akuza lidhet me një procedurë prokurimi me vlerë rreth 700 milionë lekë (700 mijë euro), me objekt zhvillimin e sektorit energjetik. Sipas të dhënave paraprake, çështja i përket periudhës kur Benet Beci mbante funksionin e drejtorit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), përpara se të zgjidhej kryebashkiak i Shkodrës.

Megjithatë, deri në këto momente, SPAK nuk ka dalë me një njoftim zyrtar për të sqaruar plotësisht akuzën konkrete, si dhe cilësinë procedurale me të cilën është thirrur kryebashkiaku në këtë fazë të hetimit.

Kjo nuk është hera e parë që Benet Beci paraqitet në Prokurorinë e Posaçme. Ai është thirrur edhe më herët nga SPAK, ndërsa në daljet publike pas seancave të mëparshme ka shmangur komentet për mediat, duke mos dhënë shpjegime mbi arsyet e thirrjes.

Hetimi ndaj Becit ka nisur pas sekuestrimit të telefonit të bashkëshortes së ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi. Gjatë këqyrjes së materialeve, sipas burimeve mediatike, janë zbuluar komunikime që lidhen me Benet Becin, në kontekstin e rolit të saj në KESH. Këto komunikime janë bërë pjesë e fashikullit hetimor dhe kanë shërbyer si bazë për thellimin e hetimeve nga ana e SPAK.

Sipas raportimeve, kryebashkiaku i Shkodrës po hetohet për vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës, me fokus veprimtarinë e tij në krye të KESH dhe mënyrën e zhvillimit të procedurave të prokurimit në sektorin energjetik.

Benet Beci u mor zyrtarisht nën hetim në nëntor të vitit 2024 nga Prokuroria e Posaçme, për shkelje të dyshuara gjatë ushtrimit të detyrës si drejtues i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Në vijim pritet që SPAK të sqarojë publikisht akuzën dhe hapat e mëtejshëm procedurale ndaj kryebashkiakut socialist të Shkodrës.