Dosja e “21 Janarit”/ Ilir Meta dëshmon në SPAK: “Më informuan se protesta do të ishte e dhunshme dhe do mbyllej me vrasje”

Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka përfunduar dëshminë e tij pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në kuadër të hetimeve për ngjarjet e 21 janarit 2011. Meta u pyet nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të caktuar nga prokurori i çështjes, Alfred Shehu.

Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, dëshmia e Metës është fokusuar në informacionet që ai kishte përpara zhvillimit të protestës së dhunshme para Kryeministrisë, si dhe në arsyet që çuan në dorëheqjen e tij nga posti i zëvendëskryeministrit në atë kohë.

Avokati i ish-presidentit ka bërë të ditura disa prej deklarimeve kryesore të Metës, duke cituar se ai kishte marrë paralajmërime serioze nga shërbime të huaja për rrezikun e asaj proteste. “Shërbimet amerikane më informuan se protesta do të ishte e dhunshme dhe do mbyllej me vrasje”, ka deklaruar Meta gjatë dëshmisë së tij.

Sipas tij, këto informacione ishin ndarë jo vetëm me shërbimet sekrete shqiptare, por edhe me institucionin e Presidencës. Meta ka theksuar se vendimi për të dhënë dorëheqjen nuk ishte i rastësishëm, por një akt i ndërmarrë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. “Kam dhënë dorëheqjen sepse më është kërkuar nga ata që kishin dijeni për skenarë dhune. Dorëheqja ime synonte të zbutte përplasjet”, mësohet të ketë thënë ai para hetuesve.

Dëshmia e Metës vjen në kuadër të rihapjes së hetimeve për një nga ngjarjet më të rënda politike të pas viteve ’90, ku gjatë protestës së opozitës së asaj kohe humbën jetën katër qytetarë. SPAK po administron dëshmi dhe prova të reja, duke thirrur një sërë ish-zyrtarësh të lartë për të sqaruar rrethanat, vendimmarrjet dhe informacionet e disponueshme përpara dhe pas 21 janarit.

Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që SPAK të thërrasë edhe dëshmitarë të tjerë kyç, në përpjekje për të zbardhur plotësisht zinxhirin e përgjegjësive institucionale dhe politike për ngjarjet tragjike të asaj dite.