“Ka kaluar vijën e kuqe!” Sali Berisha kërcënon Ervin Salianjin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi të enjten përjashtimin nga radhët e PD-së të ish-deputetit Ervin Salianji, pas takimit që ky i fundit zhvilloi një ditë më parë me demokratë në Elbasan. Në një konferencë për shtyp, Berisha e cilësoi këtë veprim si një “kalim të vijës së kuqe”, duke ngritur akuza të forta për bashkëpunim me elementë të botës së krimit.

Berisha deklaroi se gjatë gjithë karrierës së tij politike nuk ka bërë asnjëherë kompromis me krimin, edhe në momentet më të vështira për Partinë Demokratike. Sipas tij, ky parim mbetet i panegociueshëm dhe çdo shkelje e tij përbën arsye për masa drastike.

“Në të gjithë karrierën time politike dhe në ditët më të vështira, kurrë nuk kam bërë kompromis me krimin. Në qoftë se e ndjek këtë betejë, pavarësisht nga çmimi që ka pasur, është vendimi më i drejtë”, u shpreh Berisha, duke theksuar se bashkëpunimi me krimin është një vijë e pakalueshme për të dhe për PD-në.

Kreu i demokratëve tha se kishte informacione të besueshme sipas të cilave takimi i organizuar nga Salianji në Elbasan kishte pasur si organizator në hije Suel Çelën, të cilin Berisha e cilësoi si “kriminelin më të rrezikshëm të Elbasanit” dhe drejtues të një prej karteleve më të fuqishme në Europë.

“Që një anëtar i kooptuar i Kryesisë dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të organizojë një takim me Suel Çelën, kjo është absolutisht e papranueshme dhe kurrë nuk mund të kalojë. Kush organizon mbledhje me ndihmën e kriminelëve, ka kaluar vijën e kuqe”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se çdo person që ndërmerr një veprim të tillë mban përgjegjësi personale për pasojat dhe se Partia Demokratike nuk mund të pranojë, në asnjë rrethanë, bashkëpunimin me kartelet e drogës apo organizatat kriminale.

“Vija e kuqe e Sali Berishës është e qartë dhe ndarëse sa i përket bashkëpunimit me krimin. Ai që e kalon këtë vijë, është përgjegjës për veten e tij. Nuk mund të pranoj asnjë formë bashkëpunimi me organizatat kriminale”, tha më tej Berisha.

Në vijim, ai bëri të ditur se strukturat lokale të PD-së në Elbasan kishin refuzuar dhe bojkotuar takimin e Salianjit, duke distancuar veten nga kjo nismë. “Përshëndes të gjitha strukturat e Elbasanit që e bojkotuan me neveri një takim të tillë”, u shpreh kreu i opozitës.

Deklaratat e Berishës vijnë në një moment tensioni të shtuar brenda Partisë Demokratike, ndërsa përplasjet mes lidershipit dhe ish-deputetit Ervin Salianji kanë dalë hapur në publik pas organizimit të takimeve të quajtura “Foltore” në disa qytete të vendit.