“Do të të vras sonte!” Gruaja shqiptare rrihet për vdekje, bashkëshorti në arrati

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin në Pianello Vallesina, një fshat i vogël në Monte Roberto të Ankonës, ku një grua 49-vjeçare, me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut, është gjetur e pajetë në banesën e saj. Viktima është identifikuar si Sadjide Muslija.

Sipas mediave italiane, dyshohet se Sadjidja është rrahur për vdekje nga bashkëshorti i saj, Nazif Muslija, 50 vjeç, i cili është shpallur në kërkim dhe konsiderohet si personi kryesor i dyshuar për një tjetër rast femicidi.

Hetimet zbulojnë se çifti kishte një histori të gjatë dhune. Në prill, Muslijani ishte arrestuar pasi kishte thyer derën e dhomës së gjumit me një sëpatë, kishte shkatërruar telefonin e gruas dhe e kishte kërcënuar duke i thënë: “Do të të vras sonte”. Pas sulmit, viktima ishte strehuar tek fqinjët.

Pavarësisht ngjarjes së rëndë, në korrik ai kishte arritur një marrëveshje pranimi fajësie dhe bashkëjetesa ishte rifilluar, megjithëse Sadjidja kishte deklaruar se prej dy vitesh përjetonte dhunë fizike nga bashkëshorti i saj.

Tragjedia u zbulua pasi punëdhënësi i viktimës raportoi mungesën e saj në punë. Karabinierët që shkuan në banesë e gjetën 49-vjeçaren të pajetë në shtrat, me shenja të dukshme dhune.

Policia italiane ka nisur një operacion kërkimi për kapjen e Nazif Muslijanit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e krimit që ka tronditur opinionin publik.