Dyshohej se transportoi vrasësit e Fatbardh Licit/ Gjykata liron ish të dashurën e Safet Bajrit

Ish-partnerja e Safet Bajrit, Eria Ago, është liruar nga burgu pas një sërë kërkesash në Gjykatë. Apeli i GJKKO-së vendosi të zëvendësojë masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”, duke i ndryshuar kështu statusin pas disa muajsh qëndrimi në qeli.

Ago u arrestua nën dyshimin se kishte ndihmuar autorët e ekzekutimit të Fatbardh Licit në vitin 2018, duke i ndihmuar ata të largoheshin nga vendi i krimit. Sipas SPAK, ajo ka pasur dijeni për krimin dhe ka qenë pjesë e skemës së ndihmës, por ish-missi i ka mohuar kategorikisht akuzat. Ajo ka deklaruar se ditën e vrasjes së Licit ndodhej në Tiranë, jo në Shkodër, ashtu siç pretendohet nga hetuesit.

Eria Ago, e njohur më parë për jetën publike dhe më vonë si pronare butiku në rrugën “Myslym Shyri”, ka qenë personazh i komenteve mediatike edhe gjatë goditjes së një rrjeti prostitucioni në vitin 2020, ku u arrestua Hermes Nikaj, i njohur si “Zogu i Tiranës”.

Vrasja e Fatbardh Licit u zbardh falë bisedave të aplikacionit “Sky ECC” dhe pamjeve filmike të kamerave të sigurisë. Ngjarja çoi në arrestimin e Safet (Rustem) Bajrit nga RENEA në 21 shkurt, ndërsa në qeli si bashkëpunëtorë të dyshuar ndodhen edhe Astmer Bilali e Behar Bajri.

Të gjithë ata akuzohen për “vrasje me paramendim” në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për kryerjen e veprave penale në grup kriminal.

Fatbardh Lici ishte pjesë e njohur e familjes Lici në Shkodër, vëllai i Sokol dhe Mustafa Licit, si dhe xhaxhai i Ibrahim Licit. Ai ishte gjithashtu kunati i Lulzim Kullës, i njohur si “i forti i Shkodrës”, i cili gjithashtu është vrarë.