Moti i keq pritet të godasë vendin/ Prefektët dhe kryetarët e bashkive në mbledhje për marrjen e masave

Duke nisur nga mbrëmja e sotme dhe për të paktën 48 orët e ardhshme, vendi pritet të përfshihet nga një mot i rënduar, me reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe, në disa zona malore, edhe reshje dëbore. Sipas autoriteteve, veriu i vendit mbetet zona më e ekspozuar ndaj rrezikut të përmbytjeve dhe situatave të vështira hidrometeorologjike.

Gjatë një mbledhjeje të zhvilluar sot me 12 prefektët e qarqeve dhe kryetarët e bashkive që konsiderohen më të rrezikuara, u theksua domosdoshmëria për bashkërendim të vazhdueshëm mes pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore — Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile — me qëllim minimizimin e dëmeve dhe menaxhimin sa më efektiv të situatës.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i bëri apel kryetarëve të bashkive të zonave që pritet të goditen më shumë nga moti i keq, të bëjnë menjëherë kërkesat për mjetet e nevojshme, përfshirë ekskavatorë me krahë të gjatë dhe mjete me kalueshmëri të lartë.

Ai theksoi:

“Besoj se të gjithë prefektët janë të vetëdijshëm që kemi një dritare veprimi tani për të marrë ende disa masa parandaluese deri në orët e vona të mbrëmjes së sotme. Dua vëmendjen e të gjithë kryetarëve të bashkive të cilët kanë situata problematike me përrenj, të cilëve nuk u janë bërë prita lumore të domosdoshme, me vendodhje fshatrash që kanë grykëderdhje ose zona ku ngushtohet shtrati për shkak të ndërhyrjeve urbane, siç është rasti i Vaidejës. Menjëherë pas kësaj mbledhjeje t’i transmetoni Ministrisë së Mbrojtjes, AKMC-së, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Bujqësisë nevojat për ekskavatorë me krahë të gjatë. Elementi i dytë është nevoja për mjete të kalueshmërisë së lartë.”

Paralelisht me mbledhjen, ministri Vengu zhvilloi një inspektim në hidrocentralin e Vaut të Dejës, duke vlerësuar nga afër gjendjen e prurjeve dhe masat parandaluese në zonë. Brenda pak orësh ai pritet të mbledhë Komitetin e Emergjencave Civile në Prefekturën e Shkodrës, ku parashikimet tregojnë se intensiteti i reshjeve do të jetë më i lartë.

Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat me risk dhe të raportojnë menjëherë çdo situatë problematike pranë strukturave të mbrojtjes civile.