“Mos e prek kalin se është i acaruar”/ Dalin detajet nga vrasja e 42-vjeçarit në kalanë e Beratit

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë në kalanë e Beratit, ku 42-vjeçari Keli Hoxha u vra me thikë pas një konflikti banal me pronarin e një kali. Sipas të dhënave zyrtare, sherri nisi pasi viktima preku kalin që autori përdorte për t’u ofruar turistëve xhiro në zonë.

Burime nga policia bëjnë me dije se Kristo Mema (alias Kontandin Hoxha), 63 vjeç, pasi pa viktimën të prekë kalin, i ka thënë: “Mos e prek kalin se është i acaruar sot”. Sipas dëshmisë së tij në polici, në atë moment viktima e ka sharë nga familja dhe e ka ofenduar, gjë që e ka bërë autorin të humbasë kontrollin.

“Pasi më shau, në gjaknxehtësi nxorra thikën që e mbaja të fshehur në samarin e kalit dhe e godita”, mësohet të ketë thënë Mema gjatë marrjes në pyetje. Ai ka shtuar se pas ngjarjes është larguar drejt banesës, ka lidhur kalin në kasolle, ka marrë disa ushqime dhe është fshehur në një nga shpellat e kalasë për t’i shpëtuar policisë.

Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë dhënë një version krejt tjetër. Ata kanë deklaruar se konflikti nisi vetëm sepse Keli Hoxha preku kalin me dorë dhe se ai nuk ka përdorur fyerje apo sharje. Sipas tyre, viktima i është përgjigjur autorit thjesht me frazën “s’ka asgjë të keqe”, para se të goditej me thikë në mënyrë të befasishme.

Policia dhe grupi hetimor vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave, ndërsa autori ndodhet tashmë i arrestuar, pas ndjekjes intensive që nisi menjëherë pas ngjarjes së rëndë.