Konferenca e NATO në Tiranë/ Ja rrugët ku ndalohet qarkullimi deri me 10 tetor

Në kuadër të zhvillimit të Konferencës së NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike, e cila do të mbahet në Tiranë nga data 8 deri më 10 tetor 2025, Policia e Tiranës ka njoftuar një sërë masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e aktivitetit.

Sipas njoftimit zyrtar, do të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve në disa akse të kryeqytetit.

Konkretisht, ndalimi i lëvizjes do të jetë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga semafori pranë Presidencës deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugën “Gjergj Filipi” dhe në aksin që lidh hotel “Marriott” me bulevardin.

Për këmbësorët, masat përfshijnë bllokimin e trotuarit nga hyrja e hotel “Rogner” deri te Pallati i Kongreseve. Këto kufizime do të jenë në fuqi nga ora 07:00 e datës 9 tetor deri në orën 15:00 të datës 10 tetor 2025.

Policia u bën apel qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e përfshira, për të lehtësuar qarkullimin dhe për të kontribuar në mbarëvajtjen e sigurisë gjatë zhvillimit të konferencës, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të lartë të vendeve anëtare të NATO-s.