Kryesia e Partisë Socialiste ka zyrtarizuar emrat e kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme lokale që do të mbahen në 6 bashki të vendit. Siç ishte paralajmëruar, gara për Bashkinë e Tiranës do të udhëhiqet nga ministrja aktuale Ogerta Manastirliu, e cila synon të marrë drejtimin e kryeqytetit.
Ndërkohë, një surprizë politike ka ardhur nga Vlora, ku socialistët kanë vendosur të kandidojnë deputeten Brunilda Mersini. E zgjedhur në Parlament në zgjedhjet e 11 majit 2025, Mersini përfaqëson një figurë të re në politikën vendore që tashmë kërkon të marrë drejtimin e një prej bashkive më të rëndësishme të jugut.
Në Tepelenë, kandidatura e PS-së është Gramoz Sako, ish-kreu i Gardës së Republikës, i cili u largua nga detyra në shkurt të vitit 2024.
Në Mat, emri i përzgjedhur është Altin Bojni, i propozuar nga strukturat vendore të PS-së, ndërsa në Berat kandidon Ervin Ceca – aktualisht kryetar i komanduar që prej dorëheqjes së Ervin Demos në mars të këtij viti.
Në Cërrik, Partia Socialiste do të garojë me Florenc Dokën, i cili ka mbajtur funksionin e kryetarit të komanduar pas emërimit të Andi Sallës në postin e ministrit.
Zgjedhjet e pjesshme në këto gjashtë bashki pritet të shënojnë një test të rëndësishëm për shumicën qeverisëse dhe për rikompozimin e pushtetit vendor në këto zona.