Bleu kokainë për t’ja shitur të burgosurve/ Arrestohet në flagrancë polici

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Mustafa Lleshi, i cili shërbente si trupë shërbimi në Bllokun e Sigurisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Ai akuzohet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Moskallëzim i krimit”.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi i efektivit u bë në bazë të informacioneve të siguruara nga Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë, ku rezultonte se Lleshi ishte i përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe pritej të kryente një takim për blerjen e lëndës narkotike të dyshuar si kokainë, me qëllim shpërndarjen e saj më pas në ambientet e Bllokut të Sigurisë, ku ai ushtronte funksionin.

Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, efektivët e AMP-së i gjetën një dozë prej 0.4 gramë lëndë narkotike si dhe 70 euro para të gatshme, të cilat u sekuestruan si provë materiale. Arrestimi është shoqëruar edhe me publikimin e pamjeve filmike nga momenti i ndalimit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme ligjore në lidhje me këtë rast.