Në një mbledhje të jashtëzakonshme të zhvilluar sot, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miraturar shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryetarit të Bashkisë me 51 vota.
Në këtë mbledhje nuk kanë votuar Fabjan Topollari, Alfred Muharremi dhe Aldo Merkoçi, si dhe Gaz Paja dhe Joleza Koka që nuk ishin prezentë në mbledhje.
Vendimi vjen si pasojë e një propozimi të bërë publikisht nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, ku ai shpalli si kandidate për drejtimin e bashkisë ministren aktuale të Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino, u shpreh se ky vendim përfaqëson një hap për “çlirimin” e kryeqytetit.
“Sot po përmbushim detyrën tonë, duke i dhënë fund një gjendjeje të ngjashme me ndalim pa gjyq ndaj qytetit, të shkaktuar nga Erion Veliaj,” u shpreh ajo. Ajo theksoi se i vetmi qëllim i mbledhjes ishte shqyrtimi dhe miratimi i propozimit për largimin e Veliajt.
Kryetari i këshilltarëve të PS Eridian Salianji gjatë fjalës së tij iu drejtua opozitës duke i thënë se në karrigen e kryetarit sërish do të ulet përfaqësues nga PS.
“Ju respektova dhe ju a kuptoj dhe buzëqeshjen dhe lumturinë. Dhe sot shijoni ditën deri në fund, por këtu do jemi që në atë karrige do të ulet prapë një kryetar Bashkie i Partisë Socialiste me mbi 160 mijë vota, por të paktën mësoni nga humbja dhe lumturohuni për Tiranën siç po lumturoheni sot”, tha ai.