Rama gati për të prezantuar programin e mandatit të katërt: Paga minimale 500 €. Ja sa do të jetë mesatarja

Kryeministri Edi Rama po përgatitet të prezantojë në Kuvend programin e tij qeverisës për mandatin e katërt.

Nga programi që do të prezantohet nesër, Balkanweb ka zbardhur disa pika kyçe, si rritja e pagës minimale në 500 Euro brenda vitit 2026 dhe paga mesatare 1000 Euro deri në 2030, 1200 Euro në sektorin publik.

Vëmendjen në këtë program kanë marrë dhe emigrantët që synojnë të rikthehen në atdhe, pasi Rama ka menduar t’u dedikojë një platformë për orientim karriere.

Ja disa nga pikat kryesore të programit të zbardhura deri më tani:

• Transformojmë shërbimet e punësimit me sistem të zgjuar orientimi karriere dhe platformë të dedikuar për emigrantët që duan të rikthehen e të punojnë në Shqipëri.

 

 

• Ulim papunësinë e përgjithshme në 6% deri në 2030 dhe papunësinë e të rinjve nën 15%.

• Paga minimale në 500 euro deri në 2026, me 18 muaj pa asnjë taksë shtesë për punëmarrësit me paga të ulëta.

• Paga mesatare kombëtare 1,000 € deri në 2030; në sektorin publik 1,200 €.

• Garancia Rinore ofron punë, trajnim ose arsim për mbi 40,000 të rinj brenda 4 muajve nga regjistrimi.

• Forcojmë barazinë në paga dhe politikat aktive për punësimin e grave. • Zgjerojmë modelin dual të arsimit profesional në partneritet me biznesin dhe certifikim ndërkombëtar të kualifikimeve.

• Deri në 2030, 1 në 3 nxënës ndjek arsimin profesional; shkollat profesionale kthehen në qendra multifunksionale me konvikte moderne dhe kurse afatshkurtra për profesione të kërkuara.

• Garantojme kushte të barabarta pune, trajtim dinjitoz, sistem social të qëndrueshëm dhe të besueshëm.

• Vijojmë me nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale për njohjen e pensioneve, duke siguruar kushte të barabarta pune dhe mbrojtje sociale të plotë për shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit.

• Ndërtojmë programe të dedikuara për diasporën për rikthim të talenteve, transferim expertise dhe ndërmjetësim punësimi në sektorët prioritarë.