Gjykata e la në burg, Vangjush Dako përfundon në spital/ Zbulohet shkaku

Vetëm pak pasi Gjykata e Posaçme e Apelit prishi vendimin për arrest shtëpie duke rikthyer në burg ish-kryebashkliakun e Durrësit Vangjush Dako, ky i fundit ka pësuar probleme shëndetësore dhe është shtruar në Spitalin e Durrësit.

Lajmin e ka konfirmuar gazetarja Klodiana Lala për News24, e cila bën me dije se shkak për shtirmin e Dakos në spital ka qenë aritmia.

“Dako ka përfunduar në Spitalin Rajonal të Durrësit. Ai është gjetur në banesë kur treshja gjykuese ka firmosur vendimin.

 

 

Kur ka rënë në dijeni të vendimit, ka pësuar aritmi sipas mjekëve. Nga policia konfirmoj se Dako është duke qëndrua në kujdesin e mjekëve dhe në ruajtjen e policisë”, raporton Lala.

Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi lënien në fuqi të dënimit të ish-kryetarit të Bashkisë Durrës me 2 vjet e 8 muaj burgim për “shpërdorim detyre”, të dhënë nga shkalla e parë, lidhur me paligjshmëritë në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh, si dhe për shpërdorim të fondeve publike në ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet.

Megjithatë, përveç periudhës së qëndrimit në qeli nga arrestimi i tij më 6 qershor 2023 deri më 27 shkurt 2024, kur u lirua për shkak të mbarimit të afatit të paraburgimit, Dakos do t’i duhet të shlyejë edhe rreth 11 ditë burg, pasi pjesën tjetër e ka vuajtur në “arrest shtëpie”, që gjithashtu njihet si vuajtje dënimi.

Dako u lirua nga qelia tetë muaj pas arrestimit, pasi u konstatua se SPAK nuk arriti të përfundonte hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve, detyra që mbetën pas shqyrtimit të kërkesës për gjykim. Ai qëndroi në masën e sigurimit “arrest shtëpie” deri në vendimin e Apelit të martën, 16 shtator.