Detajet nga ekzekutimi mafioz i “Kelit”: Kush e takoi i fundit dhe alarmi nga bashkëshortja

Ditën e sotme, pasi mediat spanjolle raportuan gjetjen e  trupit të 30-vjeçarit Miklovan Danaj në Marbella, kanë dalë në dritë detaje të tjera të lidhura me ekzekutimin e tij mafioz.

Gazetarja Klodiana Lala ka bërë të ditur për Balkanweb se personi i fundit që ka takuar Danajn ka qenë Juxhin Drazhi, pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Elvis Doçi i njohur si “Visi i Pojës”, nipi i Xhevdet Troplinit.

Ndërsa ende nuk dihet lidhja e Drazhit me ekzekutimin e 30-vjeçarit, pista kryesore e hetimit mendohet të jetë e lidhur me rivalitetin e grupeve të trafikut të kokainës në Spanjë, ku Danaj ishte një emër jo pak i rëndësishëm.

Mësohet se disa orë përpara zhdukjes në 12 maj, Miklovan Danaj ka shoqëruar bashkëshorten në një qendër mjekësore për të vaksinuar vajzën e tyre 8-muajshe.

Pas këtij momenti ata janë ndarë dhe pasi nuk është lidhur ne telefon për disa orë me radhë, gruaja e tij ka bërë denoncim në policinë spanjolle. Njëherazi në policinë e Shkodrës familjarët e tjerë kanë denoncuar zhdukjen e tij.