Skema e mashtrimit online, ekspertët e IT: 20 mln Dollarë të grabitura, viktimat shumica shqiptarë

Skemat piramidale online kanë gllabëruar rreth 20 milionë dollarë vetëm përgjatë muajit gusht dhe ndër 10 mijë viktima të këtij krimi, janë shqiptarë.

Këto janë shifrat e frikshme të raportuara nga eksperti i IT Gent Progni, i cili zbardh detaje nga skema e grupit TXEX që zhvat qytetarët online.

“Nga investigimi im, drejtuesi i kësaj platforme nuk është shqiptar. E njëjta platformë ka funksionuar edhe në shtete të tjera, në Bullgari dhe vende të BE-së, por në Shqipëri është për t’u shqetësuar pasi sasia e njerëzve është tepër e lartë, ku shkon diku te 10.000 persona, dhe nga investigimi im portofoli i kësaj platforme kishte diku te 20 milionë dollarë vetëm gjatë muajit gusht, dhe 80% e tyre janë hedhur nga shqiptarët”, shprehet Progni.

TXEX nuk është e vetmja platformë e kësaj natyre në Shqipëri, pasi ekzistojnë edhe 6 të tjera të ngjashme. Kushti për t’u bërë pjesë e skemës është që depozita nuk mund të jetë më e vogël se 1000 Euro. Por për t’i tërhequr paratë më pas, duhet të shtosh në grup 5 anëtarë të rinj.

Për të rritur besueshmërinë, të japin mundësinë të tërheqësh paratë dhe burime për Top Channel bëjnë me dije se në qytetin e Lushnjës, paratë e skemës piramidale qarkullojnë në një bar-kafe.

“Për tërheqjen e saj ka dy mënyra: të thonë shko në Kosovë, pasi atje mund t’i drejtohesh ‘exchange’, ose do pika fizike në Lezhë, Lushnjë, Rrogozhinë dhe Kavajë, ku i merr paratë cash, në dorë. Ka një problem – në varësi të user-ëve që shtohen ke dhe mundësi t’i tërheqësh. Pra kjo është piramida, ku sa më shumë veta të futen, disa kanë mundësi t’i tërheqin. Kjo është joshja që bëhet”, shton Progni.

Skema e mashtrimit pranohet edhe nga vetë AKSK dhe nga Policia e Shtetit, ku në një reagim zyrtar kjo e fundit thotë se është nisur një hetim penal mbi platformat që të ofrojnë para pa punuar.

“Ligjërisht, shteti ynë ka të drejtë t’u kërkojë kompanive bllokimin e portofoleve, pasi nëse bëhet kjo, është dhe mundësia për t’i kthyer paratë – ku gjendet edhe IP-ja, telefoni. Ajo që më shqetëson mua është që ne kemi një institucion për krimin kibernetik që quhet AKSK, dhe duhet ta kishte vënë re këtë gjë shumë kohë më parë.”-shprehet më tej Progni.