Në Kosovë sot qytetarët votojnë për të zgjedhur kryetarët e 21 komunave, përfshirë edhe atë të kryeqytetit, Prishtinës.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 11 kanë votuar 7,13 për qind e votuesve.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se deri në orën 11, kanë votuar 7,22 për qind e qytetarëve me të drejtë vote bazuar në të dhënat e ofruara nga 97 për qind e komunave.
“Sipas të dhënave preliminare që kemi pranuar nga 97 për qind e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar është 88 mijë e 622 votues apo 7.22 për qind e votuesve nga 1,260,571 sa janë gjithsej”, ka deklaruar Radoniqi në një konferencë për media.
Më herët zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha të dielën më 14 nëntor se në orën 07:00 janë hapur të gjitha vendvotimet për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, dhe do të mbyllen në ora 19:00.
Në konferencën e parë për media të KQZ-së, Elezi i ka ftuar qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë duke dalë për të votuar.
Sipas KQZ-së, të drejtë vote në këtë rund zgjedhjesh kanë 1,260,571 qytetarë dhe ata do të mund të votojnë në 575 qendra votimi me 1,638 vendvotime.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar përmes postës 1,571 pako të supozuara me fletëvotime nga votuesit që jetojnë jashtë Kosovës.