Zgjidhet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit: Kush është Skënder Hita me 25 vite karrierë dhe goditje të fuqishme në krye të policisë

Skënder Hita është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duke zëvendësuar Ilir Prodën në krye të institucionit. Vendimi është miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, pas një procesi disa javor përzgjedhjeje të zhvilluar nga Ministria e Brendshme.

Lajmi është konfirmuar edhe nga ministri Besfort Lamallari, i cili thekson se Hita ka qenë një nga kandidatët më të vlerësuar në garë, falë përvojës së tij, vizionit strategjik dhe angazhimit në zbatimin e ligjit.

“Sot miratuam vendimin për emërimin e z. Skënder Hita si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ky është një vendim i bazuar në meritë, profesionalizëm dhe integritet. Jam i bindur se nën drejtimin e tij do të rritet besimi i qytetarëve dhe performanca e policisë”, u shpreh ministri.

Emri i Hitës ishte përfolur edhe më herët si favorit për këtë post, për shkak të rezultateve të tij në disa prej qarqeve më të rëndësishme të vendit, përfshirë Durrësin dhe Fierin, ku së fundmi mbante detyrën e drejtorit vendor.

Me mbi 25 vite karrierë në radhët e Policisë së Shtetit, Hita ka drejtuar një sërë operacionesh të rëndësishme. Ai u dallua fillimisht në Dibër, ku arriti të zbardhë ngjarje kriminale të vjetra dhe të ulë ndjeshëm nivelin e kriminalitetit.

Më pas, në Durrës, ai drejtoi operacione të rëndësishme kundër krimit të organizuar. Një prej goditjeve më të bujshme ishte zbulimi i 33.5 kg kokainë të fshehura në ngarkesa me banane në Portin e Durrësit, një operacion që çoi edhe në shpalljen në kërkim të personave të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Karriera e tij përfshin gjithashtu drejtimin e disa strukturave policore dhe menaxhimin e situatave komplekse, çka ka ndikuar në ngritjen e tij në një nga postet më të larta të rendit në vend.

Me këtë emërim, pritet që Policia e Shtetit të vijojë përpjekjet për forcimin e rendit dhe sigurisë publike, në një kohë kur sfidat ndaj kriminalitetit mbeten të larta.