Gjykata e Posaçme ka vendosur këtë të hënë të shfuqizojë masat e sigurisë ndaj Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Vendimi përfshin heqjen e masës “detyrim për paraqitje” si dhe “ndalim të daljes jashtë vendit”, duke i hapur rrugë Xoxës që të lëvizë lirshëm, edhe përtej kufijve të Shqipërisë.
Kërkesa për ndryshimin e masës ishte paraqitur nga vetë Xoxa, e cila e ka argumentuar me gjendjen e saj shëndetësore, pasi ndodhet në periudhën e shtatzënisë dhe ka kërkuar mundësinë për trajtim apo lëvizje jashtë vendit.
Me vendimin e fundit të GJKKO-së, ajo do të vijojë përballjen me drejtësinë pa asnjë masë sigurie ndaj saj.
Ndërkohë, çështja ku përfshihet edhe Erion Veliaj ka kaluar tashmë për gjykim. Ajola Xoxa është nën hetim për disa vepra penale, përfshirë “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë”, të kryer në bashkëpunim, “pastrim parash” si dhe shkelje që lidhen me deklarimin e pasurisë.
Ky zhvillim vjen në një moment të ndjeshëm për çështjen, ndërsa procesi gjyqësor pritet të vijojë në vijim me shqyrtimin e provave dhe dëshmive përkatëse.