Vala e emigracionit që ka përfshirë Shqipërinë po reflektohet qartë në numrin e shqiptarëve që po bëhen shtetas të vendeve të Bashkimit Europian. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, 48 mijë shqiptarë morën shtetësi gjatë vitit 2024, duke u renditur të tretët në botë, pas Sirisë dhe Marokut, dy vende me popullsi shumë më të madhe sesa Shqipëria (Eurostat, 2025).
Italia mbetet destinacioni kryesor për shqiptarët që fitojnë shtetësi, duke përbërë 66% të totalit, e ndjekur nga Greqia me 22.3%, Gjermania 6.6%, Suedia 1.6% dhe vendet e tjera 3.8%. Në Itali dhe Greqi, shqiptarët janë grupi më i madh që përfiton shtetësinë.
Për Bashkimin Europian në tërësi, në vitin 2024 rreth 1.2 milionë persona fituan shtetësi, një rritje prej 11.6% krahasuar me vitin 2023 dhe 54.5% më shumë se në vitin 2014, kur u dhanë 762,100 shtetësi. Shumica e përfituesve (88%) vinin nga vendet jashtë BE-së, ndërsa vetëm 10.6% nga shtetas të vendeve të tjera të unionit.
Grupi më i madh i qytetarëve të rinj të BE-së ishte ai i shtetasve sirianë (110,100), pasuar nga marokenët (97,100) dhe shqiptarët (48,000). Normat më të larta të natyralizimit për 100 banorë jo-shtetas u regjistruan në Suedi 7.5, Itali 4.1, dhe Spanjë e Hollandë secila 3.9. Në anën tjetër, normat më të ulëta u panë në Lituani 0.1, Bullgari 0.3 dhe Estoni 0.3.
Shifrat tregojnë një trend të qëndrueshëm të shqiptarëve që kërkojnë integrim të plotë në vendet e BE-së, duke zgjedhur sidomos Italia dhe Greqia si destinacione kryesore për një jetë të qëndrueshme dhe mundësi më të mira për familjet e tyre./Monitor