Makina, dieta e qira apartamentesh: Ja sa i kanë kushtuar shtetit deputetët e Kuvendit për vitin 2025

Shpenzimet për deputetët shqiptarë vijojnë të mbeten të larta, ndërsa të dhënat më të fundit tregojnë se vetëm për përfitime shtesë janë shpenzuar rreth 200 milionë lekë nga buxheti i Kuvendit.

Sipas analizës së publikuar për zbatimin e buxhetit për vitin 2025, këto fonde janë përdorur për dieta, telefonata, karburant, honorare për pjesëmarrje në komisione si dhe qira për deputetët që nuk jetojnë në Tiranë.

Në total, shpenzimet për deputetët dhe stafin politik e administrativ arrijnë në rreth 1.2 miliardë lekë, duke përbërë një nga zërat më të mëdhenj të buxhetit të institucionit.

Ndërkohë, rreth 60 milionë lekë janë përdorur për bileta udhëtimi, dieta dhe akomodim. Po ashtu, dhjetëra milionë lekë të tjera janë shpenzuar për ekspertë të jashtëm, vendime gjyqësore, mirëmbajtje elektronike dhe ambiente zyrash.

Një pjesë e buxhetit është orientuar edhe drejt teknologjisë dhe modernizimit. Konkretisht, 30 milionë lekë janë përdorur për transkriptim me inteligjencë artificiale, 5.6 milionë lekë për një sistem ndërveprimi me publikun dhe 1.2 milionë lekë për aplikacionin “Kuvendi i Shqipërisë”.

Në të njëjtën kohë, Kuvendi ka investuar edhe në asete fizike, duke blerë dy automjete me vlerë 14.5 milionë lekë dhe duke shpenzuar rreth 23 milionë lekë për mobilimin e sallave të komisioneve parlamentare.

Analiza tregon se një pjesë e konsiderueshme e buxhetit shkon për paga dhe përfitime të drejtpërdrejta për deputetët, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes investimeve në teknologji, mirëmbajtje dhe funksionim të përditshëm të institucionit.