Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, nuk i fshehu emocionet pas humbjes 2-1 ndaj Poloniasë, një rezultat që i dha fund shpresave për kualifikim në finalet e Kupës së Botës 2026.
“Jam i trishtuar thellësisht. Nuk më pëlqen të humbas, e kam pasur këtë ndjesi edhe si lojtar. Megjithatë, jam krenar për atë që dhamë në fushë. Përballë kishim një kundërshtar shumë të fortë”, u shpreh ai.
Tekniku brazilian vlerësoi paraqitjen e skuadrës, sidomos në pjesën e parë, duke theksuar se Shqipëria arriti të luajë në mënyrë të barabartë ndaj një ekipi me eksperiencë ndërkombëtare, ku spikasin emra si Robert Lewandowski dhe Piotr Zieliński.
I pyetur nëse mund të futej më shpejt Muçi, trajneri u shpreh:
“Është një rrugëtim, duhet të kemi durim. Nëse kthehemi 3 vite më përpara, nuk do e mendonte kush që Shqipëria të shkonte në Europian dhe të bënte kështu për në kualifikuese Botërori. Polonia ka një skuadër që është mësuar me këto. Jam krenar për punën që kanë bërë lojtarët.”
Në lidhje me aktivizimin e Arbnor Mujës dhe ndryshimet në mbrojtje, Sylvinho theksoi se zgjedhjet u bënë në funksion të thyerjes së mbrojtjes polake, duke provuar sulme nga krahët për shkak të mungesës së një sulmuesi tipik qendre.
Trajneri nënvizoi gjithashtu realitetin e futbollit shqiptar:
“Ne nuk jemi Brazili. Nuk kemi luksin të zgjedhim lojtarë që luajnë gjithmonë titullarë në klubet e tyre. Por ata që kemi janë më të mirët dhe japin maksimumin në fushë.”
Pavarësisht eliminimit, ai e cilësoi rrugëtimin si pozitiv, duke kujtuar progresin e bërë në vitet e fundit, përfshirë pjesëmarrjen në Europian dhe konkurrimin dinjitoz në kualifikueset e Botërorit.
I pyetur për të ardhmen e tij në krye të Kombëtares pas korrikut, Sylvinho u shpreh i rezervuar:
“Sigurisht që tani nuk mendoj dot për këtë gjë. Duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës ndaj Ukrainës.”
Kjo ndeshje mund të ketë qenë edhe e fundit për të në stolin kuqezi, duke qenë se kontrata e tij ishte e lidhur me objektivin e play-off-it. Pas tre vitesh në krye të ekipit, rrugët mes palëve mund të ndahen, duke mbyllur një cikël që nisi në mars 2023 pikërisht me një humbje në Varshavë dhe që përfundon sërish ndaj Polonisë.