Ngjarja e rëndë në fshatin Kuman të Roskovec vijon të trondisë opinionin publik, ndërsa detaje të reja dalin në dritë pas krimit në familje.
Dy ditë më parë, 80-vjeçari Shefit Rrapaj vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj, dhe më pas i dha fund jetës. Ndërkohë, mësohet se ai është varrosur në heshtje, pa praninë e familjarëve.
Ceremonia mortore u zhvillua pasditen e djeshme në varrezat e fshatit, ku sipas dëshmitarëve, në varrim morën pjesë vetëm disa punonjës të shërbimeve funerale të bashkisë. Asnjë nga 9 fëmijët apo të afërmit nuk ishte i pranishëm për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
“Na thanë që e varrosën. Pashë makinën funerale dhe shkova. Ishin vetëm 3-4 veta dhe e çuan në fund fare. Nuk e prisnim kurrë. Ishin njerëz shumë të mirë, u habitëm të gjithë kur e dëgjuam”, është shprehur një prej banorëve të zonës.
Drejtori i ndërmarrjes publike të bashkisë, Arben Duka, ka bërë me dije se policia ka negociuar për një kohë të gjatë me familjarët për të tërhequr trupin nga morgu, por pa rezultat. Në këto kushte, ceremonia e varrimit është kryer nga Bashkia e Roskovec, përmes punonjësve të saj.
Ndërkohë, një ditë më parë ka reaguar edhe vëllai i së ndjerës Dashuri Rrapaj, i cili deklaroi për mediat se ajo do të varrosej më vete në vendlindjen e saj. Ai u shpreh gjithashtu se autori kishte qenë një person problematik dhe i dhunshëm.