Ditën e nesërme, Shqipëria do të përfshihet nga mot i paqëndrueshëm me reshje shiu dhe erëra të forta. Parashikohen reshje mesatare deri intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës, ndërsa në Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë mesatare. Në Dibër, Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Korçë priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare.
Për shkak të përkeqësimit të motit ditën e enjte dhe të premte, brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës, duke filluar nga ora 06:00 e datës 26.03.2026, pritet erë me drejtim jug–juglindje me forcë deri në 6–7 Bft, shpejtësi 15–20 m/s dhe lartësi dallgësh nga 1.50 deri në 2.50 metra.
Si pasojë, është ndaluar pajisja me leje nisjeje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që synojnë të operojnë jashtë Gjirit të Vlorës nga ora 06:00 e datës 26.03.2026 deri në orën 06:00 të datës 27.03.2026.
Gjithashtu, trageti i linjës Vlorë–Brindisi–Vlorë ka anuluar lundrimin dhe mbërritjen në Portin e Vlorës për ditën e nesërme. Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve të tyre.
Përmirësimi i kushteve hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 27.03.2026.