GJKKO ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me burgim të përjetshëm Altin Hajrin, për akuzën e rrëmbimit me pasojë vdekjen e Jan Prengës.
Hajri është gjykuar në mungesë, pasi prej më shumë se gjashtë vitesh rezulton në kërkim dhe nuk është arrestuar ende nga autoritetet. Gjatë seancës, avokati i tij deklaroi se klienti i tij i mohon akuzat dhe nuk ka pasur dijeni për rrëmbimin e ndodhur në janar të vitit 2020.
Sipas SPAK, hetimet kanë provuar përfshirjen e Hajrit në grupin kriminal që organizoi rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e trupit të pajetë të Prengës.
Ndër provat e paraqitura në gjykatë ishte edhe fakti se Hajri shfaqet duke shkatërruar kamerat e sigurisë në ambientet e “Golden Resort”, ku trupi i pajetë i viktimës u mbajt për disa orë përpara se të zhdukej.
Po ashtu, si provë u përdorën edhe komunikime të zhvilluara në aplikacionin e koduar “Sky ECC”, ku diskutohej për çështjen e Jan Prengës.
Më herët, për të njëjtën ngjarje, është dënuar me burgim të përjetshëm edhe kopshtari i resortit, Festim Bexhdili.
Ndërkohë, të pandehurit e tjerë, përfshirë Dritan Rexhepi, Gentian Doci Funiqi, Aldo Majnishta, Artan Docaj, Geraldo Martini, Korado Gështenja dhe Martin Bleta, po gjykohen në një proces të ndarë në të njëjtën gjykatë.
Sipas SPAK, Dritan Rexhepi dhe Gentian Doci Funiqi dyshohet se kanë urdhëruar rrëmbimin e Prengës, pasi vëllai i tij, Astrit Prenga, u kishte grabitur një sasi prej 260 kilogramësh kokainë në një port të Britanisë së Madhe. Edhe pse një pjesë e drogës u kthye dhe u pagua një shumë parash, trupi i pajetë i Jan Prengës nuk iu dorëzua familjes.