Seanca e kësaj të marte në GJKKO ka sjellë zhvillime të reja në procesin ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku përveç vendimeve procedurale, janë bërë publike edhe deklarata të forta nga brenda sallës së gjyqit.
Gjykata pranoi kërkesën që Veliaj të mbrohet nga avokati Plarent Ndreca, ndërsa vendosi shtyrjen e seancës së radhës për shkak të mungesës së mbrojtësit të një të pandehuri tjetër.
Debati në seancë u përqendrua te dorëzimi i akteve të dosjes, të cilat sipas mbrojtjes janë vënë në dispozicion në mënyrë të parregullt, pa inventar të detajuar. Nga ana tjetër, prokurori Olsi Dado deklaroi se oficerët e policisë gjyqësore kanë ndjekur procedurat gjatë dorëzimit të materialeve në IEVP Durrës.
Gjatë fjalës së tij, prokurori zbuloi edhe një deklaratë të fortë të bërë nga Veliaj në momentin e kontaktit me oficerët. Ai ka cituar kryebashkiakun i cili ka pretenduar se bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, e cila aktualisht është shtatzënë në pritje të binjakëve, ka humbur dy fëmijë gjatë procesit gjyqësor:
“Ky pis më ka shkatërruar familjen, abortin e dy fëmijëve të mi nuk kam për t’ua falur”.
Sipas tij, kryebashkiaku ka shfaqur sjellje kundërshtuese dhe fyese gjatë procesit të dorëzimit të akteve, duke refuzuar t’i marrë ato në mënyrën e ofruar.
Ndërkohë, avokati mbrojtës Plarent Ndreca kundërshtoi mënyrën e ndjekur nga prokuroria, duke theksuar se klienti i tij ka të drejtë të njihet me çdo dokument përmes një inventari të detajuar dhe në prani të mbrojtjes, në mënyrë që të garantohet një proces i rregullt ligjor.
Nga ana e saj, SPAK hodhi poshtë pretendimet për shkelje procedurale, duke deklaruar se nuk ekziston situata e përshkruar nga mbrojtja.
Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar më 1 prill, ndërsa pritet që debati mbi aktet dhe procedurat të vijojë edhe në vijim të procesit gjyqësor.