Dalje në dritë detaje të reja nga ngjarja tragjike e ndodhur në fshatin Kuman, Roskovec, ku 80-vjeçari Reshit Rrapaj dyshohet se vrau bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj, rreth 75 vjeçe, dhe më pas i dha fund jetës.
Sipas informacioneve të fundit, çifti kishte probleme të vazhdueshme mes tyre. Madje, vetëm katër ditë para ngjarjes, në banesën e tyre kishte ndërhyrë policia për të qetësuar një konflikt mes bashkëshortëve.
Burime nga zona bëjnë me dije se Reshit Rrapaj dyshohet se e ka qëlluar bashkëshorten me armë zjarri tip pushkë brenda banesës, përpara se të kryente edhe aktin fatal ndaj vetes.
Mësohet gjithashtu se çifti ishin prindër të shtatë fëmijëve – tre vajza dhe katër djem – shumica e të cilëve jetojnë jashtë vendit. Vetëm njëri prej djemve banonte me ta dhe është shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë lidhur me ngjarjen.
Një tjetër detaj i rëndësishëm që ka dalë nga hetimet paraprake është se rreth 10 vite më parë, i moshuari kishte tentuar t’i jepte fund jetës me armë zjarri.
Policia vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë ngjarje të rëndë.