Tragjedi në aeroportin La Guardia në New York/ Avioni përplaset me zjarrfikësen, humbin jetën dy pilotët dhe plagosen 41 të tjerë. Shpëton për mrekulli stjuardesa

Screenshot

Një aksident i rëndë ajror është regjistruar mbrëmjen e së dielës në New York, ku një avion i Air Canada, me mbi 70 pasagjerë në bord, u përplas me një zjarrfikëse gjatë uljes në pistë në LaGuardia Airport.

Sipas autoriteteve, si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën piloti dhe bashkëpiloti, ndërsa 41 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Sakaq një stjuardesë që ndodhej në kabinë e lidhur në sedilje është katapultuar jashtë dhe ka shpëtuar vetëm me disa plagë.

Zjarrfikësja ndodhej në pistë pasi kishte marrë leje nga kontrolli ajror për t’iu përgjigjur një tjetër avioni që kishte raportuar një erë të dyshimtë në bord. Pak para përplasjes, në komunikimet ajrore dëgjohet kontrollori duke i kërkuar me urgjencë mjetit të ndalojë.

Rreth 20 minuta më vonë, i njëjti kontrollor duket se merr përgjegjësinë për incidentin, duke deklaruar:

“Po merreshim me një emergjencë më herët… bëra një gabim.”

Nga përplasja, rreth 40 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit u dërguan në spital, disa prej tyre me lëndime serioze, megjithëse shumica janë liruar deri në mëngjesin e së hënës.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë dëmtime të rënda në pjesën e përparme të avionit, me kabinën e pilotimit të shkatërruar dhe mbetje të shpërndara në pistë. Zjarrfikësja ndërkohë është përmbysur nga goditja.

Aksidenti çoi në mbylljen e përkohshme të LaGuardia Airport, një nga aeroportet më të ngarkuara në rajon, duke rënduar situatën në një periudhë tashmë të vështirë për udhëtarët, për shkak të fluksit të madh të sezonit dhe vonesave në kontrollet e sigurisë.

Fluturimet u devijuan drejt Newark Liberty International Airport, i cili gjithashtu ndërpreu përkohësisht operacionet të hënën në mëngjes, pasi kontrollorët e trafikut ajror evakuuan kullën për shkak të një ere djegieje, sipas Federal Aviation Administration.