Çmimi i naftës shkon në 220 lekë/ Dështon protesta para kryeministrisë. Pjesëmarrje minimale

Protesta e paralajmëruar kundër rritjes së çmimit të naftës nuk ka arritur të mobilizojë qytetarët, pasi pasditen e kësaj të hëne, përpara Kryeministrisë, pjesëmarrja ka qenë minimale.

Rreth një orë pas orarit të njoftuar për nisjen e saj, në vendngjarje janë parë vetëm disa qytetarë, kryesisht aktivistë të Lëvizja Shqipëria Bëhet, si dhe prania e shtuar e mediave dhe forcave të policisë.

Kjo protestë ishte thirrur në një moment kur çmimi i karburantit në vend ka arritur deri në 220 lekë për litër, duke shkaktuar pakënaqësi të gjerë. Pavarësisht thirrjeve në rrjetet sociale për pjesëmarrje masive, reagimi qytetar rezultoi i ulët.

Ndërkohë, përballë rritjes së çmimeve, qeveria ka sinjalizuar rikthimin e Bordit të Transparencës për karburantet, si një mekanizëm për monitorimin dhe kontrollin e tregut.

Shoqëria civile kishte bërë thirrje që protesta të zhvillohej në orën 17:00, me synimin për të ushtruar presion mbi institucionet për uljen e çmimeve, por mungesa e pjesëmarrjes e ka zbehur ndjeshëm ndikimin e saj.