Aktori i njohur i filmave aksion, Chuck Norris, është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur familja e tij përmes një deklarate zyrtare.
Në reagimin e tyre, familjarët e përshkruajnë atë si një figurë të jashtëzakonshme jo vetëm në sytë e publikut, por edhe në jetën private: “Për botën, ai ishte një luftëtar i arteve marciale, aktor dhe simbol force. Për ne, ai ishte një bashkëshort i përkushtuar, një baba dhe gjysh i dashur, një vëlla i jashtëzakonshëm dhe zemra e familjes sonë”.
Sipas raportimeve fillestare, Norris ishte shtruar në spital në Hawaii pas një emergjence mjekësore. Megjithatë, familja ka zgjedhur të mos bëjë publike rrethanat e sakta të ndarjes së tij nga jeta, duke e cilësuar humbjen si të papritur.
Chuck Norris ishte një nga emrat më të njohur në skenën e arteve marciale në Shtetet e Bashkuara, përpara se të ndërtonte një karrierë të suksesshme edhe në kinematografi. I lindur në Oklahoma në vitin 1940, ai shërbeu fillimisht në Forcat Ajrore Amerikane, për t’u bërë më pas një nga figurat më të spikatura të arteve marciale, duke zotëruar disa “black belt” në disiplina si karate, taekwondo, judo dhe jiu-jitsu braziliane.
Karriera e tij në film nisi në vitin 1972, kur u shfaq në filmin “Way of the Dragon” përkrah legjendës së arteve marciale Bruce Lee. Më pas, Norris u bë i njohur për një sërë filmash aksion si “Delta Force” dhe “Missing in Action”.
Megjithatë, roli që e bëri ikonë për publikun e gjerë ishte ai i Cordell “Cord” Walker në serialin e famshëm televiziv “Walker, Texas Ranger”, i cili u transmetua për vite me radhë dhe mbetet një nga projektet më të suksesshme të tij.
Chuck Norris lë pas bashkëshorten e tij, Gena O’Kelley, dhe pesë fëmijët e tyre.