Zbulohet shtëpia e barit në Peqin: Ambienti në pronësi të drejtorit të Burgut të Rrogozhinës

Një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabisit është zbuluar këtë të enjte në Elbasan, gjatë një operacioni të policisë lokale. Sipas informacioneve paraprake, prona ku zhvillohej aktiviteti i paligjshëm dyshohet se i përket drejtorit të Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, i cili është shpallur në kërkim.

Burimet bëjnë me dije se në ambient janë gjetur mbi 3000 rrënjë kanabisi, të kultivuara në kushte të përshtatura për rritjen e bimëve narkotike.

Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit, ndërsa pritet që në orët në vijim të jepen më shumë detaje mbi operacionin dhe personat e përfshirë.

Ndërkohë, mediat raportojnë se pas zbulimit të kësaj veprimtarie dhe shpalljes në kërkim, Bilal Hasa është pezulluar nga detyra.

Hasa ka mbajtur më herët edhe funksionin e kryetarit të njësisë administrative Gjocaj në Peqin. Emri i tij u bë publik në vitin 2020, kur u përfshi në një incident dhune pranë selisë së Partia Socialiste e Shqipërisë në Peqin, pas kundërshtimeve për zgjedhjet e brendshme në degën lokale.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.