Vrasja e Fatbardh Licit/ Dosja “Bajri” kalon për gjykim, SPAK: Ja akuzat për të pandehurit

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim procedimin penal nr. 112 të vitit 2019, që lidhet me vrasjen e Fatbardh Licit, duke çuar para drejtësisë katër të pandehur: Behar Bajri, Safet Bajri, Astmer Bilali dhe Eria Ago.

Vendimi është marrë në seancën paraprake të zhvilluar më 19 mars 2026 nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila pranoi kërkesën e SPAK dhe urdhëroi kalimin e çështjes për gjykim me trup gjykues prej tre gjyqtarësh.

Sipas dosjes hetimore, tre nga të pandehurit, Safet Bajri, Behar Bajri dhe Astmer Bilali akuzohen për “vrasje me paramendim”, e kryer për motive hakmarrjeje ndaj Fatbardh Licit, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Ata përballen gjithashtu me akuza për “mbajtje pa leje dhe prodhim armësh”, si dhe për pjesëmarrje apo drejtim të grupit të strukturuar kriminal.

Ndërkohë, Eria Ago, ish-partnere e Safet Bajrit, akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit”.

Gjykata ka vendosur që fashikulli gjyqësor të përfshijë të gjitha aktet e hetimeve paraprake, si dhe veprimet e kryera gjatë seancës paraprake. Po ashtu, në dosje është përfshirë edhe kërkesa për gjykim të shkurtuar e paraqitur nga një prej të pandehurve.