Policia gjeti 4000 rrënjë kanabis në magazinën e tij/ Vetëdorëzohet në polici drejtori i Burgut të Rrogozhinës

Merr një kthesë të re operacioni policor i koduar “Kurtaj”, ku u zbuluan rreth 4000 bimë kanabisi në një magazinë në fshatin Kurtaj, Njësia Administrative Gjocaj. Drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, është dorëzuar në polici.

Sipas burimeve, Hasa ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me aktivitetin e paligjshëm të zbuluar në objekt. Ai ka pohuar se prej disa muajsh nuk ka shkuar në magazinë dhe nuk ka pasur dijeni për çfarë mund të zhvillohej aty.

Ndërkohë, burime zyrtare bëjnë me dije se po hetohet edhe pista që lidhja e paligjshme e energjisë elektrike në objekt mund të jetë kryer nga vëllai i tij, i cili jeton në zonë.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, operacioni “Kurtaj” u zhvillua nga Drejtoria për Krimet në Volum, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.

Gjatë kontrolleve, në bodrumin e një magazine u zbuluan dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin mbjellë rreth 4000 rrënjë kanabisi. Po ashtu, u sekuestruan pajisje të ndryshme elektrike, përfshirë llamba dhe neonë, që shërbenin për funksionimin e aktivitetit.

Nga hetimet paraprake rezulton se objekti është në pronësi të Bilal Hasës, i cili fillimisht ishte shpallur në kërkim.

Në kuadër të të njëjtit operacion, për veprën penale “shpërdorim detyre”, është shpallur në kërkim edhe një tjetër person me iniciale E.M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht skemën dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.