Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur me emrin artistik “Gjesti”, është liruar nga paraburgimi vetëm një javë pas arrestimit të tij në Prishtinë, raportojnë mediat.
Artisti ishte ndaluar fillimisht nën dyshimin për “armëmbajtje pa leje” dhe, pas intervistimit nga autoritetet, ishte mbajtur për 48 orë në ndalim policor. Më pas, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur ndaj tij masën e paraburgimit për një muaj.
Sipas dyshimeve, ndaj Kelmendit rëndonin disa akuza, përfshirë “kanosje”, “asgjësim apo dëmtim të pasurisë” si dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Megjithatë, pas një jave qëndrimi në paraburgim, masa e sigurisë është ndryshuar, duke i mundësuar lirimin dhe vijimin e procedurës në gjendje të lirë.
Por kjo ditë nuk shënon vetëm rikthimin e tij në shtëpi. Ajo mbart edhe një ngarkesë të fortë emocionale për këngëtarin. Pikërisht në të njëjtën datë, vëllai i tij i ndjerë do të festonte 16-vjetorin e lindjes.
Eldioni, i cili u nda nga jeta disa muaj më parë, ka lënë një boshllëk të madh në familje. Kjo koincidencë e bën ditën e lirimit të Gjestit një përzierje emocionesh, mes lehtësimit për lirinë dhe dhimbjes për humbjen e rëndë familjare.
