Çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur këtë të enjte në 214 lekë për litër, duke shënuar një rritje prej rreth 40 lekësh krahasuar me periudhën para nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme.
Që prej 28 shkurtit, kur tensionet mes Iranit, Izraelit dhe SHBA-ve u përshkallëzuan, tregjet ndërkombëtare të energjisë kanë pësuar luhatje të forta, reflektuar edhe në tregun vendas. Në kryeqytet, çmimet që më parë varionin nga 173-175 lekë/litër, kanë kapur tashmë nivelin e 214 lekëve.
Rritja e çmimeve vjen vetëm një ditë pasi kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me furnizuesit e karburanteve, ku u diskutua për përballimin e ndikimit të krizës globale. Sipas tij, në bursat ndërkombëtare çmimi është rritur me rreth 40%, ndërsa në Shqipëri është reflektuar në mënyrë më të moderuar.
Nga ana tjetër, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka komentuar edhe propozimin e opozitës për uljen e taksës së karburantit, duke u shprehur skeptik ndaj kësaj nisme.
Ai theksoi se sistemi aktual i taksimit përmes karburantit konsiderohet më i drejtë, pasi lidhet drejtpërdrejt me përdorimin e mjeteve.
“Marrja e taksës te karburanti është mjeti më i mirë, sepse paguajnë më shumë ata që e përdorin më shumë mjetin,” u shpreh ministri.
Lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike për uljen e taksës së qarkullimit, ai sqaroi se një praktikë e tillë aplikohet në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, ndonëse me forma të ndryshme.
“Taksa e qarkullimit është në të gjitha vendet e BE. Disa e aplikojnë në mënyra të ndryshme, por parimi mbetet i njëjtë,” shtoi ai.
Ministri bëri të ditur se autoritetet po ndjekin nga afër zhvillimet në tregun e hidrokarbureve, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e ndërhyrjes me mekanizma si vendosja e një çmimi tavan apo rikthimi i Bordit të Transparencës, në varësi të dinamikës së tregut.
“Po monitorojmë situatën. Vendosja e një çmimi tavan apo ngritja e Bordit janë opsione që mbeten në tavolinë,” u shpreh Karakaçi.
Sa i përket furnizimit, ai theksoi se nuk ka rrezik për mungesë karburanti në vend, duke nënvizuar se Shqipëria furnizohet përmes rrugëve alternative dhe jo vetëm nga Ngushtica e Hormuzit.