Partia Demokratike i ka hequr mundësinë e kandidimit Ervin Salianjit në garën për drejtuesin e ri të partisë, duke sqaruar se ai nuk është më pjesë e anëtarësisë.
Pavarësisht se një ditë më parë ish-deputeti nuk e përjashtoi mundësinë për të hyrë në garën e 23 majit, përgjigjja zyrtare nga selia blu ka qenë e prerë. Në një reagim për Report Tv, Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka u shpreh se Salianji nuk mund të jetë kandidat, pasi nuk figuron më si anëtar i partisë.
“Nuk mund të kandidojë, nuk është më anëtar i partisë”, thuhet në përgjigjen zyrtare.
Emri i Salianjit është lënë jashtë në procesin e fundit të rifreskimit të listave të anëtarësisë, bazuar në një udhëzim të miratuar në fillim të këtij viti. Sipas këtij udhëzimi, nuk konsiderohen më anëtarë ata që kanë vepruar kundër interesave të partisë, kanë mbështetur kundërshtarët politikë apo kanë shkelur rregullat dhe disiplinën e brendshme.
Ervin Salianji shihej si një nga rivalët më të fortë potencialë përballë Sali Berisha, të cilin e ka sfiduar publikisht edhe përmes takimeve paralele me demokratët. Pikërisht këto qëndrime dhe akuzat ndaj lidershipit aktual kanë sjellë përplasjen me drejtimin e partisë, duke çuar deri te përjashtimi i tij de facto nga strukturat.
Në të njëjtën situatë pritet të jenë edhe emra të tjerë kritikë ndaj lidershipit, si Evi Kokalari dhe Alesia Balliu, të cilët gjithashtu nuk figurojnë në listat e anëtarësisë dhe me gjasë nuk do të pranohen si kandidatë në garën për drejtimin e partisë.