Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, është shprehur se çmimi aktual i karburanteve në Shqipëri, pak mbi 200 lekë për litër, konsiderohet brenda normales dhe nuk ka pësuar rritje të ndjeshme si pasojë e zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
Në një konferencë për mediat së bashku me kryeministrin Edi Rama, ajo theksoi se qeveria po monitoron në mënyrë të përditshme çmimet e zhdoganimit dhe ato në tregun e shitjes me pakicë.
“Çmimet në Shqipëri nuk kanë pasur rritje të madhe, por rreth 10-15%. Gjykojmë që nuk jemi ende për të ringritur Bordin e Karburanteve”, u shpreh ministrja.
Sipas saj, bursat ndërkombëtare kanë shënuar luhatje të forta që prej muajit shkurt, me çmime që kanë varuar nga rreth 700 deri në 1200 dollarë në ditët e pikut.
“Ne kemi ngritur një ekip nga tre ministri dhe përfaqësues të agjencive, të cilët monitorojnë çmimet e zhdoganimit dhe çmimet në tregun e pakicës. Bëhet fjalë për një marzh rreth 8.5%, një marzh i kontrolluar”, tha ajo.
Ibrahimaj falënderoi gjithashtu grosistët e karburanteve, duke theksuar se ata kanë dhënë garanci për të mbajtur fitime të ulëta gjatë kësaj periudhe.
“Grosistët kanë garantuar se nuk do të fitojnë shumë në këtë periudhë dhe do të mbajnë një marzh fitimi të ulët”, deklaroi ministrja.
Në vijim, ajo siguroi qytetarët se edhe çmimet e produkteve bazë janë nën kontroll dhe deri tani nuk ka pasur luhatje të ndjeshme.
“Rezervat e detyrueshme janë të garantuara për 100 ditë dhe linjat e furnizimit janë të paprekura. Nuk ka vend për panik”, u shpreh ajo.
Sipas ministres, edhe në skenarë krizash si bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, furnizimi mbetet i sigurt.
“Ne nuk jemi të përqendruar vetëm te karburantet, por po analizojmë situatën e çmimeve në tërësi, për të garantuar që nuk do të ketë abuzim”, përfundoi Delina Ibrahimaj.