Skandal i sigurisë ushqimore/ 104 ton misër i kontaminuar hidhet në treg

Një skandal me përmasa të mëdha është zbuluar në Shkodër, ku rreth 104 ton misër i kontaminuar me aflatoksinë B1 mbi normat e lejuara dyshohet se është hedhur në treg. Subjekti përgjegjës rezulton të jetë kompania “MODI” sh.p.k.

Sipas të dhënave nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), sasia e importuar ishte e përzier dhe gjatë kontrollit fizik të datës 4 mars 2026 u gjetën vetëm 9.5 ton, duke ngritur dyshime të forta për shpërndarje të paligjshme të pjesës tjetër.

Në një dalje për mediat, Inspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula deklaroi se ka indicie të qarta që një pjesë e konsiderueshme e kësaj sasie ka dalë në treg. Sipas të dhënave nga Tatimet, subjekti ka tregtuar rreth 119 ton gjatë periudhës nëntor 2025 – shkurt 2026.

Autoritetet kanë ndërmarrë masa të menjëhershme, duke përfshirë bllokimin e produktit, vendosjen e pesë gjobave, si dhe urdhërimin për asgjësimin e sasisë deri më 3 prill 2026. Rasti është referuar gjithashtu në prokurori për shkelje penale që lidhen me tregtimin e produkteve të pasigurta.

Sipas Sulës, kompania ka kryer shkelje të rënda, përfshirë prishjen e shenjave të bllokimit dhe mungesën e gjurmueshmërisë së produktit. Paralelisht, po verifikohen edhe përgjegjësi institucionale për mosndalimin e ngarkesës në kufi.

Autoritetet sqarojnë se rasti lidhet me ushqimin për kafshë dhe deri tani nuk ka prova për rrezik të drejtpërdrejtë për konsumatorët, megjithatë theksohet se institucionet kanë vepruar për të parandaluar çdo pasojë të mundshme.