Policia në aksion për arrestimin e mjeshtrit të bombave artizanale/ Ylli Zalla i shpëton operacionit

I shumëkërkuari Ylli Zalla ka arritur t’i shpëtojë një operacioni policor, pavarësisht se ishte lokalizuar nga forcat e rendit. Ngjarja është konfirmuar për mediat nga gazetarja Xhensila Kodra.

Sipas burimeve, Policia e Shtetit kishte identifikuar vendndodhjen e tij në zonën e Zallë, Fushë-Krujë, ku edhe u zhvillua operacioni, por Zalla ka mundur të largohet pak para ndërhyrjes së uniformave blu.

Zalla ishte shpallur në kërkim që prej muajit nëntor 2025, i dyshuar për vepra penale që lidhen me armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, autoritetet po vijojnë punën për kapjen e tij dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.

Ai u shpall në kërkim pas zbulimit të një arsenali armësh në banesën e tij, në kuadër të hetimeve për atentatin në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, ndërsa u plagos miku i tij, Muçi Shaljani.

Ylli Zalla nuk është një emër i panjohur për policinë. Rreth 12 vite më parë ai është arrestuar për të njëjtën vepër penale, prodhim të bombave artizanale, si dhe është përfshirë në aktivitete të paligjshme të lidhura me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.

Në të kaluarën, ai është përmendur edhe për dyshime për lidhje me grupe ekstremiste, përfshirë ISIS, në kuadër të hetimeve për rekrutime të shqiptarëve për konflikte jashtë vendit. Gjithashtu, vite më parë ai kishte kërcënuar me jetë edhe pronarin e një kompanie çimentoje në zonën e Fushë-Krujës.