Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar mesditën e kësaj të marte në Tiranë, ku një autobot i Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka përplasur një grua 72-vjeçare. Viktima, Athina Bushi, humbi jetën në vendngjarje.
Ngjarja ndodhi në bulevardin “Gjergj Fishta”, në zonën e njohur si ish-ekspozita, ku e moshuara po lëvizte me një motoçikletë elektrike.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë rezulton se 72-vjeçarja është penguar gjatë lëvizjes me mjetin elektrik dhe ka rënë në rrugë. Në ato momente, autoboti i drejtuar nga një 52-vjeçar e ka përplasur me rrotat e pasme.
Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në polici për veprime të mëtejshme, ndërsa nga verifikimet paraprake nuk rezulton të ketë qenë nën efektin e alkoolit. Në deklarimin e tij, ai ka pohuar se nuk e ka parë viktimën në momentin kur ajo është rrëzuar.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Në një reagim zyrtar, Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës dhe ka theksuar se po ndjek me seriozitet të plotë procesin e hetimit për këtë ngjarje tragjike.