Historike/ Aktorja shqiptare në skenën e çmimeve Oscar për të tërhequr çmimin prestigjoz

Regjisorja dhe aktorja nga Kosova me famë botërore, Luana Bajrami, së bashku me ekipin e filmit të saj të ri Two People Exchanging Saliva, u ngjitën në skenën prestigjioze të ceremonisë së Academy Awards për të pranuar çmimin Oscar për Filmin më të Mirë të Shkurtër.

Gjatë marrjes së çmimit, regjisorët e filmit, mes emocionesh të mëdha, përmendën edhe origjinën kosovare të një prej protagonisteve, Bajrami, duke theksuar se projekti është realizuar kryesisht nga një ekip i përbërë nga gra.

Në bashkëprodhimin mes Francës dhe SHBA, me titullin origjinal Deux personnes échangeant de la salive, Bajrami interpreton rolin e Malaise. Ajo është personazhi qendror në filmin bardhë e zi, i shkruar dhe drejtuar nga dyshja Alexandre Singh dhe Natalie Musteata.

Filmi imagjinon një Paris distopik ku shuplakat kanë zëvendësuar paranë dhe puthjet janë të ndaluara, madje të dënueshme me vdekje. Kur një e re, Malaise (Luana Bajrami), fillon punë në një butik luksoz, ajo krijon shpejt një marrëdhënie me një kliente të pasur, Angine, duke ndezur xhelozinë e mbikëqyrëses së saj. Një komedi e errët mbi tërheqjen dhe rivalitetin, e zhvilluar në një sfond dhune të çuditshme dhe të stilizuar.

Filmi pati premierën në Telluride Film Festival në SHBA dhe fitoi Grand Jury Prize në AFI Fest, i organizuar nga American Film Institute. Producentet ekzekutive të projektit janë Julianne Moore dhe Isabelle Huppert.

Çmimi për Filmin më të Mirë të Shkurtër iu dha gjithashtu edhe filmit The Singers, në një barazim të rrallë.